HISTORIKU I SHKOLLES “ISMAIL QEMALI”

Themelimi i shkollës 9-vjeçare “Ismail Qemali” daton më 1913, kur Komisioni i Arsimit i Bashkisë së Shkodrës, i kryesuar nga Xhemal Naipi dhe me mbështetjen e kryetarit të bashkisë, Muharrem Gjylbegu, të cilët hapën tri shkolla shtetërore, ndër të cilat Shkolla e e Parrucës (emri i parë i shkollës sonë) me drejtor Haxhi Hafiz Abaz Golemi. Shkolla u vendos fillimisht në shkollen Rus Haslikaj ndërtuar pas Hyrietit për shkollë qytetëse femërore, e më vonë u zhvendos në lagjen e Parrucës, ku ka qenë shkolla qytetëse ushtarake në kohen e Turqisë, në vitin shkollor 1914-1915. Shkolla e Parrucës njihej edhe me emrin Dar-Yl-Irfan (shtëpia e kulturës-shqip).
Shkolla e filloi punën si shkollë qytetëse, me katër klasa ekuivalente me shkollën tetëvjeçare të viteve më parë. Në fillimet e saj punoi me programe franceze të përpunuara dhe zhvilloheshin këto lëndë: besim, gjuhë shqipe, arabisht, turqisht, frëngjisht, italisht histori, gjeografi, matematikë, diktime, vizatim. Regjistrat e amzat ishin turqisht, mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe me mësues shqiptarë e nxënës të gjithë shqiptarë. Personeli mësimor qe zgjedhur nga elementët me kulturë e të aftë për të kryer më së miri detyren që iu ishte ngarkuar.

Misionarët e parë ishin: Ismail Anamali, Sheuqet Muka, Rrustem Lopçi, Luigj Kodheli, Jusuf Puka, Miha Laqi, Musa Tabaku, Mihallaq Kambuduri, H. Ibrahim Kaduku, H. Shefqet Boriçi, Hysen Efendi Vuthi.
Mësimet janë zhvilluar në shqip edhe pse tekstet ishin në turqisht. Gjithashtu kontrolli i dijes, si dhe provimet e çdo lënde bëheshin në shqip. Ama për shumë koncepte shkencore deri atëherë të papërdorura në gjuhën shqipe, si terminologji shkencore apo shkollore, mësuesi Sheuqet Muka tregonte se përdorej terminologjia turke ose arabe… “Asht për t’ju falë nderit mësuesve tanë fort e fort, pse e bajnë mësimin shqim fare në gjuhën tonë…”
Por me pushtimin austro-hungarez, aty nga mbarimi i vitit shkollor 1915-1916, gjuhët e huaja italisht dhe frëngjisht u zëvendësuan me gjermanishten.
Në vitin shkollor pasardhës, nuk do të kemi më shkollë qytetëse por një shkollë fillore me 5 klasa, me pothuajse të njëjtët mësues dhe i njëjti lokal; ku u punua me programet austriake të përpunuara nga Luigj Gurakuqi, Gaspër Beltoja, Mati Logoreci e Gaspër Mikeli.Vijat themelore të programit ishin: “Qëllimi kryesor i mësimit në shkollën fillore ka qenë edukimi mendor e fetar i rinisë, si dhe zhvillimi i fuqive intelektuale të nxënësve të rinj. Në shkollë nxënësit duhet të merrnin ato njohuri, që duke u perfeksionuar e zgjeruar më vonë do t’i bëjnë ata njerëz të ndershëm.”
Për sa i takonte lokalit, shkolla e Parrucë ishte ndër më të mirat e qytetit të Shkodrës. Godina e shkollës ishte dykatëshe, klasat ishin të mëdha e plot ndriçim, me nga tri dritare të mëdha dhe me tavane të larta. Në katin e parë të ndërtesës kishte një sallon të madh me rreth 400 vende, me një skenë relativisht të gjerë me këmbë të lëvizshme dhe plot galeri e lozha. Baza materiale e shkollës për momentin plotësonte kërkesat minimale. E me rritjen e numrit të nxënësve duheshin më shumë banka e dërrasa të zeza, siç kërkonte drejtori Abaz Golemi me shkresen e dt. 07.10.1919 drejtuar Drejtorisë së Arsimit Shkodër. Në prill 1922, me iniciativen e mësuesit Sheuqet Muka, u themelua biblioteka për nxënësit. Pamvarësisht vështirësive dhe mungesave që kishin shkollat, përparimet qenë të kënaqhme. Pikërisht në këtë vit arsimtarët përparimtarë donin një shkollë të re, e cila mund të realizohej nëpërmjet një kongresi arsimor, ku mësues të nderuar të shkollës së Parrucës si Sheuqet Muka, Gaspër Beltoja, Rrustem Lopçi e Ruhi Zeka përfaqësonin mendimet e arsimtarëve demokratë që kërkonin të vini themele të reja të shkollës shqiptare dhe ta çlironin atë nga ndikimi i dogmave fetare, duke i dhënë një drejtim të ri. Reformimi i programit të ri u mbështet në programin shkollor të Francës dhe të Zvicrës, i cili u nda në 3 periudha, nga 2 vjet secila. Në përgjithësi programet patën më shumë përmbajtje shkencore dhe u bënë hapa përpara në drejtim të shkollës laike.

Në vitin 1924, gjatë lëvizjes së 31 majit, shkolla mashkullore e Parrucës u dëmtua mjaft dhe kishte nevojë të meramentohej dhe ndërkohë u hap për herë të parë edhe shkolla femërore e Parrucës në lagjen “Garuc”. Po ashtu, drejtori i shkollës Abaz Golemi shkarkohet nga qeveria e Fan Nolit me motivacionin “Pjesmarrës aktivë kundër lëvizjes kombëtare të qershorit 1924”, tanimë drejtor është Ismail Anamali, për të përmbyllur vitin shkollor me kthimin e drejtorit Abaz Golemi.
Në 1928 shkolla fillore kaloi nga 6-vjeçare në 5-vjeçare; ora mësimore ishte 40 minuta dhe pushimet nga 15 minuta; pasi përfundonte mësimet sipas programit, nxënësi u nënshtrohej provimeve të lirimit në lëndët kryesore, përballë një komisioni të përbërë nga drejtori i shkollës, mësuesi i klasës dhe një përfaqësues nga një shkollë tjetër, i autorizuar nga Ministria e Arsimit. Nxënësit që kalonte provimet e lirimit i jepej dëftesa e lirimit. Mësimet zhvilloheshin paradite dhe pasdite, me një pushim në kohën e drekës, duke lënë për pasdite lëndët që kërkonin më pak lodhje mendore. Java mësimore ishte 6-ditëshe. Në vitin pasardhës, u vendos për herë të parë që arsimi fillor të jetë i detyruar për moshën 6-14 vjeç.
Në vitin shkollor 1930-1931 me nismen dhe përpjekjet e mësuesve të shkollës së Parrucës, Sheuqet Muka, Ragip Gjylbegu, Ragip Hoxha, Mehmet Gjyli e Shuaip Domnori u krijua banda e parë muzikore e shkollës fillore laike në Shqipëri. Nxënësit kishin nga 2 kostume zyrtare dhe një kombëtare. Kjo orkestër ka dhënë shfaqje në ditët e festave kombëtare dhe fetare në Shkodër, Tiranë, Ulqin e Podgoricë.
Grupi i nxënësve që bënte pjesë në bandë ishin: Sait Seknaj, Ramadan Sokoli, Ahmet Cungu, Halil Kerniqi, Muhamet Tyli, Ali Tahiri, Nuri Kastrati, Nazm Haveri, Ali Hamiti, Ramadan Milla, Nazmi Laçej, Zyber Juka, Nazmi Seknaj, Rexhep Juka e Halil Vjerdha. Për më tepër paten guximin të zhvillonin një aktivitet në Ulqin, që pati një jehonë të madhe…”Ky koncert bëri efektin e një bombe…”; komenti i një gazete të Podgoricës.
Aktivitetet jashtëshkollore ishin të shumta, dhe përveç bandës muzikore ishin edhe dramatizimet e ndryshme drama“Oso Kuka” apo të Ernest Koliqit e interpretime të vjershave ose fragmenteve të “Lahuta e Malcis”, Naim Frashërit, Hilë Mosit et. Numri i nxënësve rritej nga viti në vit si për shkollen platore të Parrucës ashtu edhe për shkollen fillore femërore Garuc.
Siç citohet edhe në raportin e inspektimit të Inspektorisë së Arsimit për shkollen e Parrucës: “Kjo shkollë ka një bibliotekë të pasur. Shkolla ka arritë të nxjerr një botim periodik të revistës për fëmijë “Vatra e rinisë” që i ka dhënë një nxitje veprimtarisë artistike jashtë procesit mësimor në shkollë…”. Po nga ana tjetër shkolla ka organizuar aktivitete të shumta sportive në futboll, volejboll, ushtrime gjimnastikore të përgatitura nga mësuesit e palodhshëm.
Në vitin shkollor 1941-1942 hasim emrin e shkollës”Shkolla mashkullore Ismail Qemali” dhe vazhduan frekuentimin e kësaj shkolle edhe vajzat.
Në shkollen “Ismail Qemali” viti shkollor 1946-1947 ishte viti i parë si shkollë unike (7-vjeçare), e cila organizonte kurse kundër analfabetizmit. (foto fq. 235) Në vitin pasardhës shfaqet emri “7 Nëntori” dhe vlerësimet për shkollen vazhdojnë të shtohen, cilësohet ndër shkollat më të mira të rrethit, në festivalin folkloristik të rrethit të Shkodrës zë vendin e parë me melodramen e përrallës “Mësimi i pyllit” (operetë), çmim të parë me skeçin “Si shokët tanë sovjetikë”, grupi folklorik u vlerësua me fletë nderi nga komisioni i festivalit, në Olimpiadat teatrale morën fletë nderi, në olimpiadat e matematikës vend të parë etj. 1957-1960, në spartakiaden kombëtare 1959 tri nxënëse thyen rekorde në atletikë: Mimoza Meta, Xhemalije Kavaja dhe Valdete Meta. Vlen të theksohet se gjatë këtyre viteve shkolla ka përgatitur mjete të shumta mësimore, si: tabela ilustrative, tabela gjuhësore, mjete konkretizimi për fiziken, për gjeometrinë, gjeografinë dhe balsamime, gjithashtu mësuesit bashkë me nxënësit e rrethit natyralistët zbukuruan dhe gjallëruan oborrin e shkollës. Në shkollë kanë funksionuar rrethe të shumta, të cilat kanë tërhequr një masë të konsiderueshme nxënësish. Është punuar për formimin e zgjerimin e gjithanshëm të horizontit shkencor, kulturor dhe artistik të nxënësve, që nuk mund të arrihet vetëm në orët e mësimit. Në shkollë ka funsionuar rrethi i korit, i letrarit të ri, i baletit, i natyralistëve dhe rrethet sportive të futbollit, volejbollit etj. Në arritjen e rezultateve të mira në punën mësimore ka pasur një bashkëpunim të drejtorisë me komitetin e prindërve, duke bërë mbledhje dhe takime me prindërit e nxënësve të dobët dhe njëkohësisht me vetë nxënësit e dobët. Kujdes është treguar edhe për gjallërimin e jetës së nxënësve me aktivitete jashtë klase e jashtë shkolle. Në vitet 1963-1964 kemi riorganizimine shkollës dhe kalimin nga 7-vjeçar në atë 8-vjeçar. Në vitin shkollor 1966-1967, sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit, datë 15.03.1965, në shkollën “7 Nëntori” futet gjuha frënge në klasen e pestë pas shumë vitesh shkëputje.
Viti shkollor 1967-1968 futet për herë të parë si formë eksperimentale me një orë mësimi në javë në klasën e tetë lënda: “Edukatë qytetare dhe morale”. Në kuadrin e festës së 7-Marsit, me dekret nr.4240 datë 24.02.1967, shkolla “7 Nëntori” e rrethit të Shkodrës u dekorua nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë, me urdhrin “Naim Frashëri, Klasit II”: “Është një nga shkollat e para, që ka dhënë një kontribut të madh në përhapjen e arsimit”.
Vitet 1968-1969 shkolla punoi me programet ekzistuese dhe u bë shkollë sportive me profilin e basketbollit duke sjellë rritje të numrit të nxënësve në 1521 me 18 klasa në ciklin e ultë dhe 24 klasa në ciklin e lartë. Më 12 tetor 1971 u përurua lokali i ri shkollor, ku ndodhet aktualisht shkolla. Ndërtesa e re dhe e bukur kishte katër kate me 31 dhoma mësimore, bibliotekë, salla e këshillit pedagogjik, drejtori, nëndrejtori etj. Në këtë godinë filloi mësimi më 1 shtator 1972.
Në vitin shkollor 1978-1979 u realizuan 3 studime shkencore për gjuhën shqipe, edukatën dhe fiskulturën. Vitet 1980-1990 përkojnë me shumë reforma në programe dhe plane mësimore sidomos për klasat e para dhe të pesta. U punua për eksperimentimin e programeve dhe teksteve të reja në matematikë në klasat e para deri në të katërta dhe përputhjen e saj në të gjitha shkollat. Shkolla “7 Nëntori” ishte ndër shkollat e para që ka punuar për eksperimentimin e këtyre programeve dhe teksteve. Ndërsa viti shkollor 1983-1984 filloi me zbatimin e planeve dhe programeve për klasën e parë dhe të pestë, ndërsa gjuha frënge në klasën e gjashtë dhe të shtatë u zhvillua me programe të reja. Në vitet 1988-1992 shtohet dhe programi i ri i matematikës së klasës së parë. Më 3 tetor1991 iu dha emri “Ismail Qemali”. Mjaft mësues të kësaj shkolle punuan që nëpërmjet metodave të zgjedhura të mësimit të arrijnë të formojnë te nxënësit iniciativen, pavarësinë në punë, të ndikojnë sistematikisht për formimin dhe edukimin aktiv të tyre, duke zhvilluar mendimin e pavarur të nxënësve.
Vitet 1992-2013 janë dhe vitet e reformave arsimore. Bëhet shpolitizimi i mësimit, ndryshimi i përmbajtjes së planeve, programeve e teksteve mësimore në lëndët shoqërore. U hoqën lëndët: “Punë e dobishme”. Edukata morale-politike u emërtua “Edukata shoqërore”.
Deri në vitin 1990 shkolla “Ismail Qemali” ishte shkollë frankofone dhe frëngjishtja ishte gjuhë e parë. Pas vitit 1990 në shkollën “Ismail Qemali” futet dhe gjuha angleze dhe mësimi i gjuhës së huaj zhvillohet në të dyja gjuhët frëngjisht dhe anglisht. Viti shkollor 2008-2009 shënoi edhe kalimin nka sistemi 8-vjeçar në atë 9-vjeçar. Shkolla eshte certifikuar nga DAR Shkodër në mars 2009 “Për arritje në veprimtarinë e përditshme mësimore edukative duke përmbushur në mënyrë të qëndrueshme parametrat e një shkolle të sukseshme”.
Është certifikuar nga MASH si “Shkolla më e mirë e vitit 2009” për rezultate të larta dhe të qëndrueshme në Provimet e Lirimit dhe në procesin mësimor-edukativ.
Në vitin 2011 futet si gjuhë e huaj dhe italishtja. Vlen të përmenden aktivitetet e zhvilluara në këtë kuadër me ambasadën italiane. Në vitin 2015 dërgohen në Verona të Italisë 22 nxënës në kuadër të bashkëpunimit mes shkollave si dhe përvetësimit të metodave të ndryshme mësimore të gjuhës italjane. Është rënditur si shkolla me performancen më të mirë duke zënë vendin e parë për vitin shkollor 2016-2017. Vitin shkollor 2014-2015 shkolla u perzgjodh si shkollë pilot për të pilotuar kurrikulen e re me bazë kompetence gjë që e realizoi plotësisht me sukses
Në vitin shkollor 2017-2018 u rëndit e dyta në kampionatin shumësportesh. Ndërsa në vitet 2015-2016 e 2016-2017 dhe vitin 2018-2019 shkolla u rëndit në vendin e parë në Kampionatin shumësportesh organizuar nga DAR Shkodër. Në vitin 2017-2018 shkolla u bë pjesë e platformës eTwining dhe mori çmimin e 3-të në rang kombëtar.Vazhdon të jetë pjesë dhe në 2023 mori përsëri vlerësimin me “ Etiketen e shkollës eTwining”.
Kemi bashkëpunime edhe me shkolla të tjera dhe kemi binjakëzime me to ( Itali) realizim të projekteve sëbashku shkolla” Costantino Nigra “ Torino dhe “Instituto Comprensivo ScWitzer ” të Termolit.
1-“Cuciamo insieme una favola”me pjesëmarrje të 25 nxënësve;
2- “Alla ricerca di un altro tempo” me pjesëmarrje të 27 nxënësve;
3- “Zecchino d’oro” me pjesëmarrje të 53 nxënësve;
4- “I promessi sposi” shfaqje teatri në Itali (Verona) bashkë me nxënës të shkollës “Ndre Mjeda” me pjesëmarrje të 26 nxënësve.
Ditët në shkollë janë të mbushura përveç orëve të mësimit, edhe me aktivitete të ndryshme atistike, letrare, shkencore, sportive etj .
Shkolla është fituese e shumë çmimeve dhe olimpiadave të ndryshme sidomos ato të matematikës, kimisë, historisë. Është pjesëmarrësë në aktivitete përvjetorësh dhe në konkurse teatrale. Që nga themelimi i saj e gjer në ditët tona, mësuesit e shkollës kanë punuar mirë në zhvillimin e prirjeve të nxënësve për t’u nxitur e ushqyer pasionin për dije, për studim të vazhdueshëm. Pasqyrë e punë së mirë janë rezultatet dhe çmimet e para, të dyta e të treta në olimpiada e konkurse lokale dhe kombëtare.
Për detaje të mëtejshme, mund të shfletoni librin mbi historikun e shkollës 1913-2013 tautorit Fiqiret Hoxha.

Drejtorët ndër vite
|
Haxhi Hafiz Abaz Golemi |
1913-1925 |
|
Sheuqet Muka |
1925-1933 |
|
Gani Dizdari |
1933-1943 |
|
Fadil I. Hoxha |
1943-1946 |
|
Hasan Brahimi |
1946-1947 |
|
Shpresa Koti |
1948-1949 |
|
Gjovalin Prendi |
1950-1951 |
|
Kasem Gera |
1951-1953 |
|
Margarita Luka |
1953-1956 |
|
Petrit Sula |
1956-1957 |
|
Vitore Daija |
1960-1965 |
|
Bardhyl Shpuza |
1965-1969 |
|
Vitore Daija |
1969-1971 |
|
Hasije Dauti |
1971-1973 |
|
Efrohsina Shestani |
1973-1975 |
|
Kristina Daka |
1975-1978 |
|
Bashkim Dema |
1978-1988 |
|
Kujtim Dervishi |
1988-2003 |
|
Aferdita Haka |
2003-2006 |
|
Ymer Vila |
2006-2013 |
|
Romica Dekovi |
2013-2014 |
|
Erjeta Laçej Sinani |
2014 e në vazhdim |
|
|
|